Dr. Adela Perolli: Si ndikoi pandemia tek pacientët në kimioterapi

Dr. Adela Perolli: Si ndikoi pandemia tek pacientët në kimioterapi

Leucemia si çdo lloj sëmundjeje tjetër malinje kanceroze shkaktohet nga mutacione gjenetike në AND-nën e individit. Shenjat e pacienteve me leucemi variojnë nga lloji i saj, por në format akute pacienti mund të prezantohet me anemi, me fenomene hemorragjike si ajo e hundëve ose mishit të dhëmbeve, me temperaturë, etj. Për këtë Gazeta “Shëndeti online” zhvilloi një intervistë me Dr. Adela Perollin, Hematologe, në Q.S.U. “Nënë Tereza” Tiranë, e cila i’u përgjigj një sërë pyetjesh në lidhje me diagnostikimin dhe trajtimin e Leucemisë.

Doktoresha, çfarë është leucemia?

Leucemia është një term që përdoret për të emëruar një grup kanceresh të gjakut edhe të palcës së kockës, dhe praktikisht janë katër diagnoza që përfshihen në termin leucemi.

  • Leucemitë akute-mieloblastike
  • Leucemitë kronike-mieloide
  • Leucemitë akute-limfoblastike
  • Leucemitë kronike-limfoide

Është shumë e rëndësishme që kur flasim për termin leucemi të kemi parasysh llojin e linjës qelizore që është prekur. Pasi nga kjo varet shumë ecuria dhe trajtimi i pacientit. Rrezikun më të madh në katër grupet e llojit të leucemisë e kanë ato të formës akute. Leucemia prek kryesisht leukocitet (rruazat e bardha të gjakut). Në pacientët me leucemi rruazat e bardha të gjakut nuk realizojnë si duhet funksionin e tyre.

A njihen shkaktarët e sëmundjes?

Leucemia si çdo lloj sëmundje tjetër malinje kanceroze shkaktohet nga mutacione gjenetike në ADN-në e individit. Dhe në rastin konkret ka qeliza të palcës së kockës të cilat quhen qeliza staminale të cilat pësojnë një mutacion, por nuk është detyrimisht një i vetëm që të shkaktonte leucemin, është teoria “tëo hits” ose e dy goditjeve që shpjegon kete proces.

Pra, ndodh “një goditje”, ose mutacioni i parë dhe me pas ndodh një “goditje e dytë” ose mutacioni i dytë, pastaj kjo shoqërohet me krijimin e një qelize malinje që zhvillon pastaj edhe leuceminë.

Cilat janë shenjat e leucemisë?

Shenjat e pacienteve me leucemi variojnë nga lloji i saj, por në format akute pacienti mund të prezantohet me anemi, me fenomene hemoragjike si ajo nga hundët apo nga mishi i dhëmbëve, si dhe mund të kenë temperaturë.

Kurse në leukemtë e formave kronike nëqoftëse, kemi përshëmbull leuceminë limfoide-kronike këtu mund të kemi rritje të rruazave të bardha të gjakut (leukociteve), por pacienti të mos ketë asnjë shenjë klinike, e kohë më pas mund të shoqërohet me zmadhim të gjendrave, djersitje natën, por ecuria është shumë më e ngadaltë krahasuar me format akute të leucemisë.

Si diagnostikohet kjo sëmundje?

Për të diagnostikuar leucemitë, së pari duhet një gjak komplet, i hollësishëm me mikroskop, duke realizuar formulën leukocitare, dhe numërimin e trombociteve. Së dyti, duhet analiza e palcës së kockës, dhe këtu kemi aspirimin e saj, që quhet ndryshe dhe mielograma dhe biopsinë e palcës së kockës, ku fragment kockor dërgohet për t’u studiuar në laboratorin e anatomise patologjike. Kemi edhe egzaminime plotësuese të diagnozën dhe këtu flasim për citometrinë me fluks dhe imunohistokimia e materialit të biopsisë. Nga ana tjetër egzaminimi i tretë që vendos diagnozën është analizimi i mutacioneve gjenetike, domethënë biologjia molekulare që bëhet te këta pacientë.

Pra me këta tre elementë bëhet edhe diagnoza e personave që diagnostikohen me këtë sëmundje.

Si trajtohen? 

Trajtimi i leucemive bazohet në kimioterapinë dhe në terapitë target si edhe me transplantin e palcës kockore me qeliza staminale dhe duhet të përmenden terapitë e reja që po studiohen së fundmi që janë terapitë imuno-modulatore me përdorimin e qelizave T të modifikuara gjenetikisht që dalëngadalë do t’ja zënë vendin transplantit të palcës kockore por kjo i përket të ardhmes së afërt, ngaqë një sërë studimesh klinike jane “on going”.

E rëndësishme ështe të theksohet se format akute normalisht duhet të fillojnë menjëherë kimioterapinë, ndërkohë nga ana tjetër leucemia kronike limfoide ka gjithmonë atë fazën ‘presim dhe shikojmë’ derisa ajo të kalojë atë fazën e shfaqjes së kritereve kur duhet të fillojë mjekimi.

Aktualisht përsa i përket terapive ka disa faza që ndiqet te këta pacientë dhe zbatohen protokollet përkatëse sipas udhërefyesve botërore

A është sëmundje e shërueshme? 

Leucemia aktualisht mbetet një sëmundje e pashërueshme, nuk kemi një kurë defenitive që ta zhdukë këtë sëmundje. Por, qëllimi është të arrihet “faza e remisionit” do të thotë që pacienti të qëndrojë sa më gjatë në fazën kur qelizat kanceroze janë të padedektueshme nga të tëra aparaturat që ekzistojnë. Pastaj kjo nuk do të thotë që sëmundja nuk do të fillojë përsëri, sepse pas shumë kohësh rishfaqet leucemia.

Cila grupmoshë është më e prekur?

Në varësi nga lloji i leucemisë varet edhe grupmosha. Për shembull, leucemitë akute- limfoblastike prekin kryesisht moshën nga 2-5 vjeç, dhe grupmoshën 6- 10 vjeç. Janë dy kulmet ku haset ky lloj, por kjo nuk do të thotë që kjo sëmundje nuk haset edhe në mosha të vjetra, pra e kemi edhe tek adultët.

Leucemia akute-mieloblastike është karakteristike e adultit, pra domethënë haset më shumë tek mosha e rritura por kjo nuk domethënë që nuk ka raste edhe tek fëmijët.  Ndërsa dy llojet e tjera janë forma të adultit me një moshë mesatare të shfaqjes rreth moshës 50 – 60 vjeç.

Po pandemia a ka ndikuar te personat e diagnostikuar me këtë sëmundje?

Covid-19 ka ndikuar tek këta persona të diagnostikuar me këto sëmundje, pasi kemi pasur persona të infektuar edhe në momentin që janë infektuar është e detyrueshme të ndërpritet kimioterapia.

Pra pacientët të cilët janë me sëmundje malinje dhe që ndërkohë rezultojnë edhe të infektuar me Covid 19, nuk mundet që të bëjnë kimioterapi. Kimioterapia nuk bëhet te asnjë pacient nëqoftëse ka një sëmundje infektive aktive.

Kështu që situata e pandemisë, po, na ka krijuar shumë probleme; e para për arsyen se pacientët fillimisht nuk vinin për t’u diagnostikuar dhe vinin shumë vonë.

Jo të gjitha leucemitë të krijojnë “shansin” të presësh, sidomos format akute. Ka pasur raste që kanë qenë me Covid-19, ndërkohë që kanë qenë me Leucemi Akute dhe kjo e ka bërë të pamundur trajtimin e sëmundjes me kimioterapi duke rriskuar automatikisht në këtë mënyrë jetën e pacientit. Gjithashtu është fakti që të gjithë pacientët me sëmundje hematologjike, sikundër dhe me sëmundje malinje zhvillojnë forma severe të Covid-19.

Sa e njohur është leucemia në vendin tonë?

Është mjaft e njohur në vendin tonë, megjithëse nuk është se e kemi me frekuencë shumë të lartë krahasuar me vendet e tjera ne Ballkan dhe Evropë. Dihen mbi 7 mijë raste të reja në 4 vite të diagnostikuar me kancer në vendin tonë në përgjithësi sipas të dhënave statistikore, por nga këto 300 deri në 400 raste, në varësi nga vitet janë të diagnostikuar me leucemi.

Nuk po flas për klasifikimin sipas llojeve, por në total shkon ky numër në vit.

A keni ju një mesazh për të gjithë të diagnostikuarit me këtë sëmundje?

Mesazhi që kam është “Shpresa vdes e fundit”, pacientët duhet të luftojnë, mbi të gjitha duhet të informohen mbi sëmundjen e tyre, mbi atë çfarë kanë, për terapitë e reja. Të mbështeten tek familjarët, shokët dhe të afërmit, sepse është normale që kanë nevojë për mbështetje dhe kurajo. Të mos izolohen, të bien në depresion, por të ndiqen në mënyrë të rregulltë tek mjeku.

Po për kolegët tuaj a keni ndonjë rekomandim?

Për kolegët e mij, nuk po flasim për pjesën e Hematologjisë, pasi për hematologët është rutina e punës tonë, por mjekëve në përgjithësi iu rekomandoj kur u vjen një pacient ti marrin një analizë gjaku të thjeshtë.

Mjafton thjeshtë një analizë gjaku në mikroskop ku shihet formula, ku shihen dhe trombocidet, dhe që do të diagnostikonte jo vetëm leucemitë, por një pjesë të madhe të sëmundjëve të gjakut.

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.